Prishtinë- Dëshmitari Valdrin Muja tha se në ditën kritike, pas të shtënave të armës, i ndjeri A.M, kishte thënë “o kuku babë m’rroki”, në rastin ku Xhaver dhe Amir Badhi akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore, kanë privuar nga jeta të miturin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.
“Ka kërsitë arma, e ka rrokë djalin mbrapa A., A. ka thanë o kuku babë m’rroki, dhe ka vrapu në drejtimin tim. Ku aty A. është deshë vetë dhe ka ra në duart e mija dhe ia kam dhënë ndihmën e parë”, tha dëshmitari Muja.
I njëjti në seancën e së martës shtoi se pas kësaj, është goditur me armë edhe i ndjeri B., në anën e djathë të kokës, i cili gjendej rreth 3 metra larg tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, dëshmitari tha se është dëgjuar i akuzuari Xhafer Bardhi duke thënë “ik bir se u ba puna m**”.
Në pyetjen e prokurorit Bashkim Zeqaj se a i kujtohet dëshmitarit kush nga të akuzuarit kishte armë në dorë, i njëjti është përgjigjur se nuk i kujtohet.
I pyetur se a ka pasur i ndjeri B.M., ndonjë armë me vete në ditën kritike, dëshmitari Muja është përgjigjur se nuk ka pasur asgjë tjetër përveç motorit të sharrës.
Gjithashtu, kur është pyetur se si ka qenë konfiguracioni i terrenit, ai tha se të akuzuarit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë ardhur prej së larti, ndërsa këta kanë qenë poshtë dhe i kanë vërejtur të akuzuarit për shkak të dritave.
Ndërkaq, mbrojtësi i të dëmtuarës Selvete Muja, avokati Ndrec Dodaj pyeti dëshmitarin se malin e shtetit siç e ka potencuar Muja, a e kanë shfrytëzuar vetëm familja Muja apo edhe bashkëfshatarët e tjerë.
“Kush ka mujt ka marrë dru, e kanë shfrytëzu krejt”, tha dëshmitari.
I pyetur se si i ka njohur të pandehurit në ditën kritike pasi që edhe ka qenë natë, i njëjti është përgjigjur se përmes lëvizjeve të dritave të cilat i kishin të vendosura në kokë.
“Gjatë lëvizjes së dritës, drita i ka ra njëri- tjetrit, të njëjtit kanë komuniku mes veti dhe në bazë të zërit i kam dëgjuar se kanë qenë Xhaferi me Amirin”, shtoi ai.
Mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku pyeti dëshmitarin se në këtë thënien “ikë bir se u ba puna m**” a e kishte dëgjuar para apo pas humbjes së vetëdijes, ku dëshmitari tha se e ka dëgjuar pasi që ka humbur vetëdijen.
Kurse, i pyetur se a e mbështet deklaratën e dhënë më 6 maj 2021 në zyrën e prokurorit, i njëjti u përgjigj se nuk e mban në mend këtë deklaratë.
Për shkak të përfundimit të orarit, shqyrtimi i sotëm është ndërpre dhe seanca e radhës është caktuar më 13 dhe 19 dhjetor 2022.
Leave a Reply