Home Lajme Më suImoi vëllai”, “Nuk të takon hise se je femën” – Arbër e Lulzim Kryeziu denoncohen nga motra për aksionet e Al Petrol / DETAJE

Më suImoi vëllai”, “Nuk të takon hise se je femën” – Arbër e Lulzim Kryeziu denoncohen nga motra për aksionet e Al Petrol / DETAJE

by Republikaonline

Një betejë gjyqësore për pasurinë e afaristit të ndjerë Latif Kryeziu tashmë ka nisur në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Fëmijët e të ndjerit janë duke u përplasur mes vete. Motra është ankuar se vëllezërit e kanë përzënë nga hisja. Asaj nuk i lejohet qasja në firmën Al Petrol e Royal, të kontrolluara nga vëllezërit e saj Arbër e Lulëzim Kryeziu.

Ka rreth shtatë muaj që vajza e biznesmenit të ndjerë Latif Kryeziut ka denoncuar vëllezërit e saj në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ajo është ankuar se vëllezërit e kanë përzënë nga hisja në kompanitë multimilionëshe të themeluara e udhëhequra nga babai i ndjerë.

Dy prej tyre janë të famshme: Al Petrol/Shell dhe Royal. Ajo ka kërkuar ndihmë nga gjykata. Ka kërkuar që të ndalohen vëllezërit e saj, sipas denoncimit të saj në gjyq. Po ashtu, motra është ankuar se njëri prej vëllezërve të saj edhe e ka suImuar, në momentin kur ka kërkuar hise në bizneset e babait. Një seancë gjyqësore është mbajtur sot.

Është shqyrtuar propozimi i vajzës së të ndjerit për të vendosur Masë Sigurie në bizneset multimilionëshe që kontrollohen nga vëllezërit e saj.

Çka ndodhi sot në seancë?- Ky është versioni i motrës

Trashëgimtarja e të ndjerit Latif kryeziu, propozuesja V.K, kërkon caktimin e masës së sigurisë në pjesën e pasurisë të lënë nga babai i saj tani i ndjerë në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe aksionet e trashëguara në “Al-Petrol”, ndaj familjarëve të saj- kundërpropozuesve H.K, Arbër Kryeziu, Lulzim Kryeziu, H.K dhe M.K.

Përfaqësues të propozimit të masës së sigurisë për V.K ishin Arianit Koci dhe Gerta Ragipi të cilët ishin prezent në seancë.

Avokati Koci në këtë seancë deklaroi se mbetet tërësisht pranë propozimit për masë të sigurisë.

I njëjti shtoi se propozuesja V.K si trashëgimtare ligjore e të ndjerit Latif Kryeziu që dy vite është privuar që ta gëzojë masën trashëgimore që i takon dhe kur e ka kërkuar të drejtën e saj është suImuar nga njëri prej vëllezërve të saj.

Ai po ashtu bëri edhe zgjerimin e propozimit për masë të sigurisë, duke shtuar edhe dy prona të tjera, të cilat gjenden në Shqipëri, duke e bazuar këtë zgjerim ndaj pronave në nenin 146, paragrafi 1, të Ligjit për Trashëgimi.

Tutje, avokati Koci deklaroi se propozuesja ka pohuar se i është thënë “ty nuk të takon hise as çka po don se je femën”.

Gjithashtu, ai tha se propozuesja ka pohuar edhe se pasi që vëllezërit e saj janë persona me ndikim, e kanë penguar të marrë informata lidhur me kompaninë “Al-Petrol”.

“Vetë kërkesa për masë të sigurisë 30 milionëshe në një mënyrë e arsyeton propozomin e propozueses për garancion”, tha ai sot.

Sipas parashtresës për propozimin e masës së sigurimit të 25 majit 2022, të bërë nga paditësja V.K, kundër të paditurve/kundërpropozuesve H.K, Lulzim Kryeziu, H.K, M.K, të gjithë trashëgimtarët e të ndjerit Latif Kryeziu, thuhet se propozuesja është penguar vazhdimisht në realizimin e të drejtave të veta nga kundërshtarët e propozimit, deri në atë masë që e njëjta nuk ka asnjë informatë lidhur me pasurinë trashëgimore.

Aty thuhet se sjelljet e tilla të kundërshtarëve të propozimit, qartazi indikojnë se të njëjtit mund të tjetërsojnë, dhurojnë apo shesin pjesën trashëgimore, duke i anashkaluar vullnetin dhe të drejtat e propozueses.

Ndërsa, sipas propozimit thuhet se kundërshtarët e propozimit e gëzojnë dhe disponojnë pasurinë trashëgimore rregullisht në baza ditore, duke ndërmarrë veprime me këtë pasuri pa dijeninë e propozueses., veprime këto të cilat mund ta vështirësojnë apo pamundësojnë realizimin e kërkesëpadisë.

Andaj, mbi këtë bazë propozuesja po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të aprovohet propozimi për caktimin e masës së sigurisë, ashtu që t’iu ndalohet kundërshtarëve të sigurimit, jetësimi, fshehja, ngarkimi apo disponimi i aksioneve të trashëguara të ndërmarrjeve “Arhing” Sh.P.K, “Al-Petrol” Sh.P.K dhe “Royal Trade” Sh.P.K.

Po ashtu, propozuesja kërkon që të aprovohet propozimi për masën e sigurimit, ashtu që t’iu ndalohet kundërshtarëve të sigurimit tjetërsimi, fshehja, ngarkimi apo disponimi i ngastrave kadastrale të trashëguara nga babai i tyre i ndjerë.

Ky është versioni i vëllezërve biznesmenë të denoncuar nga motra e tyre

Për kundërpropozuesit H.K dhe Arbër Kryeziu, ka përfaqësuar avokati Naser Peci, ndërsa për kundërporozuesit Lulzim Kryeziu dhe H.K, kanë përfaqësuar avokatët Korab Sejdiu dhe Blinera Osmani.

Avokati Peci kundërshtoi propozimin për masë të sigurimit, duke thënë se konsideron që nuk është përmbushur kushti ligjor nga neni 297.1, pika b, i Ligjit të Procedurës Kontestimore.

I njëjti shtoi se shumica nga patundëshmëritë kontestuese janë të ngarkuara me hipotekë, andaj ka kosideruar se nuk ekzsiton asnjë rrezik i vetëm që ndonjë veprim i ndërgjyqësve mund të rrezikojë apo pamundësojë kërkesën eventuale të propozueses.

Gjithashtu, edhe avokati Sejdiu kundërshtoi në tërësi porpozimin për masë të sigurimit, pasi që sipas tij propozuesja dështon të provojë elementet nga neni 297.1 i LPK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”, sepse ajo ka kërkuar caktim të masës ndaj pronave të paluajtshme që në pjesën dërrmuese nuk janë objekt shqyrtimi në këtë procedure, pasi aty ka prona personale të kundërshtarit të sigurimit Lulzim Kryeziu, e jo të trashëgimlënësit.

“Njëherit nuk janë objekt shqyrtimi as pronat që janë në emër të “Al-Petrol” Sh.p.k, si subjekt i veçantë juridik dhe të cilat nuk janë objekt shqyrtimi sepse nuk janë pronë e trashëgimlënësit por pronë e veçantë e “Al-Petrol” Sh.p,k”, shtoi ai.

Ndërsa, avokatja Osmani deklaroi se përderisa trashëgimia është në emër të të ndjerit Latif Kryeziu, nuk ekziston rreziku që ndonjëri nga ndërgjyqësit të mund ta tjetërsojnë dhe fshehin ashtu siç pretendon propozuesja.

Ndërkaq, avokati Sejdiu deklaroi se përkundër faktit që trashëgimlënësi ka ndërruar jetë, ka drejtoreshën menaxhuese që e udhëheq kompaninë, e cila është njëherit nëna e propozueses.

Ndryshe, në fillim të kësaj seance pasi që avoakti Sejdiu u njoftua se seanca është duke u monitoruar, e ka kundërshtuar prezencën e monitoruesve, pasi që sipas tij çështja në fjalë ka të bëjë me aspektet e natyrës personale dhe publikimi i informatave personale qoftë drejtëpërdrejt apo tërthorazi mund të jetë çenim i privatësisë.

Mirëpo, kjo u kundërshtua nga avokati Koci, i cili tha se nuk ka ndonjë arsye ligjore që ky rast të trajohet ndryshe prej rasteve tjera.

“Në anën tjetër, monitoruesit e IKD-së janë profesionistë dhe krejt çka duhet të bëjnë është që të veprojnë sipas memorandumit që e ka me gjykatën, andaj e kundërshtoj kundërshtimin e avokati Sejdiu”, ka thënë i njëjti.

You may also like

Leave a Comment