Policia e Kosovës e kishte arrestuar në fund të qershorit një qytetar me akuzën për mashtrime me viza të qytetarëve. Personi i arrestuar ishte Arlind Berisha nga Ferizaji.
Por lirimi pas vetëm 48 orësh duket se e ka “inspiruar” atë që të vazhdojë me veprën e njëjt penale.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Arlind Berisha ka vazhduar edhe më tej me mashtrime ndaj qytetarëve kinse për sigurimin e një vize gjermane.
Indeksonline ka siguruar disa dëshmi ku shihet se si Berisha kishte premtuar rezervim të termineve për viza pune në Ambasadën Gjermane.
Për një premtim të tillë, Arlindi i kishte dëmtuar deri në 3000 euro për person. Prentendimet e tij ishin tejet shpresëdhënëse për klientët, por pasi skadonte data e premtuar për termin, ai bënte bllok numrat dhe rrjetet sociale të klientëve të tij.
Indeksonline ka siguruar edhe një video ku shihet se si i dyshuari për mashtrim i merr paratë nga një klient në një kafiteri të Prishtinës dhe të njëjtin më pas e mashtron duke mos i dhënë llogari për mashtrimin e bërë.
Madje në disa raste, i njëjti edhe kërcënonte qytetarët e pafajshëm që kërkonin paratë dhe llogari nga ai. Disa nga qytetarët e mashtruar e kanë raportuar rastin në Polici, por që për Indeksonline kanë thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje.
Arlind Berisha është djali i drejtorit të Administratës në Komunën e Ferizajit, Besnik Berishës.
Për këtë çështje, Indeksonline ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, por që ende s’ka marrë përgjigje për këtë rast./Indeksonline/
Leave a Reply