Home Kosovë Merret vendimi për Don Xhonin, kaq u dënua / DETAJE

Merret vendimi për Don Xhonin, kaq u dënua / DETAJE

by Republikaonline










Pas pranimit të fajësisë, reperi Xhonatan Isufi, i njohur me nofkën Don Xhoni, është dënuar me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të premten, nga gjykatësi i rastit Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi”.





Sipas aktgjykimit, i njëjti është obliguar të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Paraprakisht, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hivzi Bajraktari, i akuzuari Isufi është deklaruar fajtor.





“Ndjehem shumë i penduar dhe shpresoj të mos ndodhë më kurrë”, ka thënë Isufi.

Ky pranim i fajësisë, nuk u kundërshtua nga prokurori Bajraktari dhe më pas si i tillë u aprovua nga gjykatësi i çështjes Kushtrim Shyti.





Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në gusht të 2022-ës ka ngritur aktakuzë kundër Xhonatan Isufit, të cilin e ngarkonte me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.





Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri më 27 qershor 2022, i pandehuri Isufi në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën e zjarrit pistoletën e tipit “Cervena zastava” me një karikator dhe gjashtë fishekë të kalibirit 7,65 mm.





Aktakuza thotë se më datën e lartcekur në restorant “Halimi” në Prishtinë, Policia e Kosovës- Njësia për Reagim të Shpejtë gjatë një kontrolli rutinor, kanë ndaluar të pandehurin Isufi dhe me rastin e legjitimimit dhe kontrollimit të tij, në brez ia kanë gjetur dhe sekuestruar armën e lartcekur.





Me këtë, Isufi akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

You may also like

Leave a Comment