









Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga gjykatësja Valbona Selimi-Musliu.





Sipas aktgjykimit, i akuzuari Labinot Gruda shpallet fajtor duke u dënuar me dënim unik prej 8 mijë e 500 euro gjobë dhe 11 vite burgim efektiv.
Po ashtu, të njëjtit iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 6 vite.
Personazhi i 2 milionëshit të Thesarit kërkon të bashkëpunojë me ministrinë që gradualisht t’i kthejë paratë





Kurse, Kadri Shala shpallet fajtor dhe u dënua me 33 mijë euro gjobë dhe 10 vite burgim efektiv.
Ndryshe, prokuroria dhe mbrojtja nuk kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë lidhur me këtë çështje.
Në seancën e 31 tetorit, kishte filluar gjykimi rishtazi pasi që paraprakisht është bërë ndryshimi i trupit gjykues, ashtu që në vend të gjykatëses Shadije Gërguri, erdhi gjykatësja Valbona Selimi-Musliu.





Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.
Përplasja e gjatë e avokatëve për rastin e 2.1 milionëshit, Insajderi sjell detajet





Në aktakuzë thuhet se Gruda, ngarkohej për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.





Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohej për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Leave a Reply