Home Kosovë “I trentë, jepja paret, t’mytë…”/ Ky është polici që ndihmoi shokun e tij t’ia marrë 4 mijë euro mërgimtares / EMRI

“I trentë, jepja paret, t’mytë…”/ Ky është polici që ndihmoi shokun e tij t’ia marrë 4 mijë euro mërgimtares / EMRI

by Republikaonline










Xhevdet Isufi i cili tash e sa vite mban të veshur uniformën e Policisë së Kosovës, tashmë nuk do të vazhdojë punën e tij në shërbim të qytetarëve në pikën e kalimit kufitar në Kullë. Kjo për shkak se Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar Isufin nga puna, nën dyshimet se ka ndihmuar një familjar të tij që përmes shantazhit të përfitojë mbi katër mijë euro nga një grua e cila jeton në Perëndim, raporton Gazeta Sinjali.





37-vjeçari Beslim Demaj, i cili ushtronte veprimtarinë e punëtorit të sigurimit fizik, vite më parë kishte njoftuar një grua e cila jetonte në diasporë. Ani pse ajo ishte e martuar, Demaj kishte nisur një lidhje dashurie me të, duke kaluar kohë bashkë nëpër vende të ndryshme në Kosovë. Por në një pikë, marrëdhënia e tyre u kris dhe ata ndanë rrugët me njëri-tjetrin. Këtu filloi e gjithë drama të cilën si duket Beslimi e shfrytëzoi që t’ia çndukë mërgimtares disa mijëra euro.





Sinjali mëson se Beslimi me t’u ndarë nga ish e dashura e tij, kishte hapur një llogari false në rrjete sociale dhe përmes saj kërcënonte e shantazhonte viktimën se do t’ia publikojë fotografitë dhe videot intime të cilat i kishin realizuar gjatë kohës që ishin bashkë. Kushti ishte i qartë, viktima duhej t’i jepte 15 mijë euro në mënyrë që Demaj të mos i publikonte pamjet të cilat i kishte në dorë dhe cenonin integritetin e saj.





Pas një kohe, ajo kishte kuptuar se pas profilit fals i cili po i fuste frikën në palcë se do t’ia shkatërrojë martesën dhe jetën e saj të cilën e kishte ndërtuar në një nga shtetet evropiane fshihet pikërisht Beslimi. Për ta blerë paqen që i garantonte rehati, viktima në adresë të Beslimit për rreth tri vite ka dërguar mbi katër mijë euro para të gatshme. Të njëjtit i ka paguar pushime luksoze dhe ia ka plotësuar dëshirat e tij për telefona mobil të modeleve të fundit.





E lodhur nga shantazhet e kërcënimet, viktima kishte rënë në kontakt me pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Xhevdet Isufi. Ajo i rrëfeu Xhevdetit të gjithë historinë, duke shpresuar që do gjejë ndihmë dhe do ta zgjidhte problemin në të cilin ishte futur. Por ajo jo vetëm që nuk u ndihmua nga Xhevdeti, por i njëjti e shtyu atë që të vazhdojë dhe të japë para. Për fatin e mërgimtares, ajo pa qenë në dijeni ishte zatetur në dhëndrin e Beslimit, i cili ishte bërë pjesë e lojës duke e ndihmuar mikun e tij që t’i merrte paratë që i kërkonte.





Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se ka qenë Xhevdeti ai i cili bashkë me zyrtarin tjetër të nënstacionit policor në Vitomiricë të Pejës, Skender Arifaj, i cili u arrestua në korrik nën dyshimet për bixhoz të kundërligjshëm, kanë dekurajuar viktimën që mos ta denoncojë rastin në Polici.





Të njëjtit dyshohen se kanë ngjallur frikë te viktima, se nëse nuk ia jep paratë që kërkon Beslimi, ai mund ta vrasë. Këtë ata dyshohet se e arsyetonin me atë se ‘Beslimi është i trentë’, prandaj më mirë ishte t’i jepte paratë që po i kërkonte.

Për gjithë ngjarjen me të cilën po përballej viktima, kishte marrë vesh edhe bashkëshorti i saj, i cili kishte telefonuar Beslimin për të biseduar lidhur me atë që po i bënte gruas nga diaspora.




Ky ishte momenti kur 37-vjeçari ishte viktimizuar dhe ishte paraqitur në stacion policor që të denoncojë një rast të kanosjes, mirëpo pa treguar asnjë detaj apo motiv që mund ta ketë shtyrë personin që po denonconte të kryente këtë vepër.





Pas shumë tentativave, viktima ka rënë në kontakt me një deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili e ka ndihmuar që rasti të denoncohet në organet e rendit.

Si rezultat i denoncimit, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet ndaj zyrtarit policor dhe pas mbledhjes së informacioneve të para, të njëjtin e ka suspenduar nga puna.





Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë gjatë ditës së djeshme kanë kryer bastisje në shtëpinë e Beslim Demajt, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale një shtëpizë të kompjuterit dhe dy telefona celularë.





Demaj është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Shantazh’. Me urdhër të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij pritet të dorëzohet kallëzim penal.





Ndërsa ndaj Isufit kanë nisur hetimet nën dyshimet për ndihmë për të kryer një vepër penale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

You may also like

Leave a Comment