Sulmohet Policia e Kosovës tek Ujmani, ja si kundërpërgjigjet ajo

Grupe të caktuara kriminale të cilët kanë vendosur barrikada në disa zona në veri të vendit, kanë shtënë tri herë me armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se njësitet policore në vetëmbrojtje i janë kundërpërgjigjur sulmit me armë zjarri dhe personat kriminalë më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut.

Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *