Foto ilustrim
Pejë- Në shqyrtimin fillestar të së martës, i akuzuari B. Maznikolli, e ka pranuar fajësinë se me sëpatë e thikë, kishte dashur ta privojë nga jeta vëllanë e tij, të dëmtuarin A. Maznikolli.
Pranimin e fajësisë, i akuzuari B. Maznikolli e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj dhe konsultimit me mbrojtësen e tij, avokaten Edona Sahatçiu-Gora, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari tha se ndjehet fajtor për veprën penale me të cilën e ngarkon aktakuza.
Me pranimin e fajësisë, u pajtua edhe prokurorja Disha-Haxhosaj, e cila tha se pranimi i fajësisë ka mbështetje edhe në provat që është ngritur aktakuza.
Tutje, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Maznikolli, avokatja Sahatçiu-Gora, u pajtua me pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i saj, ndërsa tha se i njëjti i ka kuptuar edhe pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.
Ajo tha se ky pranim fajësie ishte në mënyrë vullnetare nga ana e tij, pa ndonjë ndikim apo presion.
Avokatja kërkoi nga gjykata që me rastin e shqiptimit të denimit, ta marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë dhe të njëjtit t’i shqiptojë dënim minimal.
Më pas, prokurorja Disha-Haxhosaj kërkoi nga gjyakta që të akuzuarin ta shpall fajëtor dhe ta dënoië sipas ligjit, si dhe ta obligojë për shpenzimet e procedurës penale.
Gjithashtu, ajo kërkoi se si rrethanë lehtësuese, gjykata ta ketë parasysh pranimin e fajësisë, ndërsa si rrethanë rënduese faktin se i njëjti ishte recidivist i veprave penale.
Ndërsa, i demtuari kërkoi nga gjykata që të merren masa ndaj të akuzuarit B., sepse sipas tij ai është i dhunshëm në familje.
“I kërkoj falje të gjithë familjes, ndihem i penduar dhe nuk do ta përsëris më”, tha i akuzuari Maznikolli.
Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit u aprovua nga gjyqtari Sami Sharraxhiu, kurse shpallja e aktgjykimit u caktua për 16 dhjetor 2022.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pëjë, e ngarkon të akuzuarin Bu. Maznikollli, se më 12 tetor 2022, në fshatin Kosuriq, Komuna e Pejës, me mjet të mprehtë- sëpatë dhe me thikë, ka tentuar ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, vëllanë e tij, të dëmtuarin A. Maznikolli.
Sipas akuzës, thuhet se në ditën kritike, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes të pandehurit me familjarët e tij, lidhur me disa të holla nga shitja e bagëtisë, ku i pandehuri pretendonte se i dëmtuari nuk ia kishte dhënë pjesën e tij, i pandehuri i drejtohet me fjalët “pse i ke shitë lopët dhe pse s’m’i ke dhënë paratë që më takojnë mua”, dhe në atë moment shkon në objektin përcjellës të shtëpisë, ku merr një sëpatë me të cilën fillimisht e dëmton veturën e të dëmtuarit, më pas tenton ta godas të dëmtuarin në kokë.
Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari për t’u mbrojtur e vendos dorën e majtë përapra kokës dhe nga goditja merr lëndime në parakrahun e dorës së majtë dhe në kokë, pas kësaj, përderisa i dëmtuari me ndihmën e familjarëve arrin që ta shtrijë në tokë të pandehurin, ky i fundit nga xhepi i tij nxjerrë një thikë duke e goditur të dëmtuarin 3 herë në këmbën e majtë dhe 2 herë në kofshë dhe 1 herë në gju, ku si pasojë e goditjeve të marra i dëmtuari pëson lëndime trupore.
Për çka, akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë”, nga neni 173, par.1, pika 1.3 e lidhur me nenin 28 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Leave a Reply