Afet Cena, vëllai i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nusret Cena, të vrarë të hënën në mbrëmje, ka publikuar një fotografi të familjarit të tij në rrjetin social Facebook.
Në një reagim të parë pas vrasjes së vëllait të tij, Afet Cena ka publikuar fotografinë e Nusretit të veshur me uniformën e UÇK-së.
“Qoftë i Lehtë dheu i Kosovës Vëlla“, ka shkruar Afet Cena në mbishkrimin e fotografisë.
Nusret Cena, 48-vjeç, një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dyshohet se është ekzekutuar për vdekje në një atentat në Kaçanik të hënën në mbrëmje.
Hetuesit e Policisë së Kosovës kanë zbuluar se Cena është ekzekutuar me breshëri plumbash nga një distancë e afërt derisa po voziste me veturë në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, në vendin e njohur si Kaçaniku i Vjetër.
“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, tha Policia e Kosovës në një komunikatë për media të martën.
Jo larg vendit të ngjarjes, në fshatin Soponicë të Kaçanikut, policia ka njoftuar se është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka.
“Ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar”, tha policia.
Leave a Reply