









Ish-ushtari i UÇK-së Nysret Cena u ekzekutua me breshëri plumbash në veturën e tij në Kaçanik të Vjetër. Deri më tani nuk është identifikuar asnjë i dyshuar për vrasjen e tij.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë shumë intensive.
Kryeprokurori Shukri Jashari zbuloi se targat e veturës Mercedes e cila u gjet e djegur pasi u vra Nysret Cena, janë identifikuar se i takojnë një veture të tipit Passat. Kryeprokurori tha se dihet kujt i takojnë ato targa dhe sot pritet të gjendet personi dhe të pyetet se si i kanë humbur targat dhe a kanë qenë të lajmëruara në polici.





Ai tha se për këtë vrasje disa hetues janë angazhuar për të kryer hetime edhe në Prishtinë.
“Lidhur me rastin në fjalë kemi autorizuar policinë, hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë shumë intensive. Disa hetues janë angazhu kah Prishtina disa kah regjioni ynë. Janë vetëm tabelat e veturës që kanë qenë të vendosura në veturën e djegur Mercedes i takojnë një veture Passat, është identifiku kujt i takojnë. Policia ka me gjetë personin me ditë qysh i kanë humb tabelat, a kanë qenë të lajmëruara në polici”, tha Jashari për Gazetën Express.





Nusret Cena, dyshohet se është ekzekutuar për vdekje në një atentat në Kaçanik të hënën në mbrëmje.
Hetuesit e Policisë së Kosovës kanë zbuluar se Cena është ekzekutuar me breshëri plumbash nga një distancë e afërt derisa po voziste me veturë në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, në vendin e njohur si Kaçaniku i Vjetër.





“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, tha Policia e Kosovës në një komunikatë për media të martën.
Jo larg vendit të ngjarjes, në fshatin Soponicë të Kaçanikut, policia ka njoftuar se është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka.





“Ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar”, tha policia, raporton Paparaci.
Nusret Cena ishte një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brigada 162 “Agim Ramadani” në Zonën Operative të Nerodimës.





Pas luftës së Kosovës, emri i tij është përmendur për afërsinë me politikën, konkretisht me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), si dhe është implikuar në rastin e vrasjes së trefishtë që tronditi Kaçanikun rreth 15 vjet më parë, në vitin 2007.
Leave a Reply