Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka folur për disa audio-incizime, ku sipas tij, zbulohet se nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe koordinatorja e komiteteve brenda këtij subjekti politik, Dejona Mihali, janë fajtore për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit.
Sipas tij, përmes video-incizimeve konfirmohet se kush ka zhdukur edhe mostrat e rastit të Astrit Dehari.
Kësisoj, ai tha se për këtë rast, kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu duhet të ftohen nga Prokuroria e Shtetit, raporton Paparaci.
“Nuk besoj që kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dehona Mihajllin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve. Rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”, shtoi Abazi.
“Audio-incizimet tregojnë diskutimet mes Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusari-Lila dhe Dejona Mihali, për ngulfatjen e zërit të deputetëve për brenda Parlamentit. Videoincizicimet janë ato që ju duhet të kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari”, tha ai para gazetarëve.
“Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mia që kam shtruar, diskutimet që kam bërë me njerëzit përgjegjës kanë sjell deri te shkarkimi brenda LVV-së. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi ndaj rastit Dehari. Dhe si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Dehari dhe kryeministri Kurti mos ta thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë, asnjë.”, u shpreh ai.
“Por, ne as si shoqëri as si qytetarë individualë e as si deputetë s’mund të rrimë të heshtur përball një procesi të tillë. Dhe duhet ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur rastin. Instituti i Mjekësisë Ligjore është 24-orë i monitoruar nga kamerat.
Dihet qartë kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerr mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera dhe janë zhdukur. Rrjedhimisht, porosia ime për zonjën Albulena Haxhiu është që të kryejë punën e saj si ministre që e ka obligim para qytetarëve dhe para deputetëve të parlamentit. Ajo dje në RTK deklaroi se GP ka vendosur që të bëhet shkarkimi im. Kjo është një gënjeshtër e pastër, pasi s’ka vendim e as votim të GP për shkarkimin tim”, vijoi Abazi.
Leave a Reply