Një grua ka mbetur e vrarë ndërsa 5 persona kanë të mbetur të plagosur, në një atentat mafioz të ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele në Tiranë. Persona ende të pa identifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali në zonën e Don Boskos. Lokali është në pronësi të Fation Muratit, një personazh i njohur i botës së krimit.
Zëvendësdrejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, Alket Shatro, në një prononcim për gazetarët tha se nga ngjarja ka mbetur e vrarë Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit.
Viktima:
Mimoza Paja, 60 vjeçe
Të plagosurit:
Sahit Murati, 50 vjeç, (xhaxhai i Fation Muratit)
Astrit Meraj, 42 vjeç
Emanuel Sala, 47 vjeç
Ermir Bejuku, 45 vjeç
Genc Shohalli, 55 vjeç
Të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e ciflave të xhamave, ka mbetur e lënduar në dorë edhe një vajzë e mitur 10-vjeçare. Ajo mësohet se është mbesa e viktimës, Mimoza Paja.
Sipas gazetares Glidona Daci, objektiv i këtij atentati dyshohet të ketë qenë pikërisht pronari i lokalit, Fation Murati. Megjithatë gazetarja thotë se ky i fundit nuk ndodhej në ambientet e lokalit. Duke cituar burime, Daci shprehet se ai rezulton të jetë larguar nga Shqipëria disa ditë më parë.
E gjithë kjo ngjarje e rëndë ndodhi në një kohë kur në lokal kishte disa klientë, të cilët po shihnin ndeshjen.
Fation Murati është emër i njohur për lidhjet e tij me disa emra të njohur të botës si krimit, si Endrit Dokle apo Ramazan Rrahja.
Në Tetor të vitit të shkuar, Murati u shoqërua në polici së bashku më Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Reçi. Ai ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje. Në të njëjtën periudhë, autoritetet kërkuan sekuestrimin e pasurisë së Muratit.
Përpara se të vihej në pranga, Fation Murati kishte dhënë deklarime në komisariatin e Krujës edhe për masakrën e 3-fishtë tek mbikalimi i Fushë Krujës ku humbi jetën Brilant Martini, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton nga vendi i ngjarjes)
Në një raportim live nga vendi i ngjarjes, gazetarja Glidona Daci raporton se dyshohet që autorët kanë qenë dy persona të cilët kanë hapur zjarr nga jashtë, në drejtim të lokalit. Ata dyshohet se lëviznin me motor dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gazetarja Daci tha se banakierja dyshohet se ka mbetur viktimë aksidentalisht nga të shtënat.
Leave a Reply