Është liruar 34-vjeçari Refki Hajzeri, shoferi i veturës BMW, i cili është denoncuar nga banorët e Prishtinës për krijim të zhurmës në qytet përgjatë disa ditëve javën e kaluar.
Hajzeri, i arrestuar të enjten e javës së kaluar, është liruar me vendim të gjykatës të shtunën.
Ndonëse prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij për ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, gjykata e ka refuzuar atë si të pabazuar.
Zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi tha se Hajzeri është liruar nga ndalimi.
“Me datë 01.04.2023 gjyqtarja e procedurës paraprake të kësaj gjykate, ka marr Aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, si e pabazuar, andaj i pandehuri R.H është liruar menjëherë nga ndalimi”, tha ajo për Express.
34-vjeçari u arrestua pasi u incizua duke bërë lëvizje të rrezikshme në rrugën Prishtinë-Podujevë, kështu duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Policia ka konfirmuar se ndaj tij janë shqiptuar 225 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Leave a Reply